Share On

Andrea Riccardi

Historian, Founder of the Community of Sant'Egidio
 biography

Të dashur miq,

në fund të këtij takimi, me frymën e Asizit, falenderoj përzemërsisht autoritetet dhe miqtë shqiptarë për mikëpritjen e ngrohtë. Ky takim është bërë i mundur jo vetëm nga Kominiteti i Sant Egidio-s, por edhe nga Kisha Ortodokse Shqiptare, Kisha Katolike, sëbashku me Komunitetin Mysliman dhe atë Bektashi, dhe është një shenjë e mirë e punës sonë të përbashkët.

Ky është takimi i njëzet e nëntë në frymën e Asizit. Siç ka thënë dhe rabini Rosen, kjo frymë është mikëpritje njerëzore dhe shpirtërore e tjetrit: pranimi i problemeve të botës, e cila bën thirrje për paqe. Një frymë që nuk ka moshë, që buron nga burimi i saj i vjetër në kodrën e Asizit e është para nesh.

Nga Shqipëria, nga kjo pjesë e Evropës, nga udhëheqësit fetarë të bashkuar, vjen një mesazh i qartë dhe i mirëmenduar: fetë e konsiderojnë paqen të shenjtë, për të luten e për të punojnë, por para së gjithash, e bëjnë për zemrën e njeriut. Siç thotë dhe shumë i dashuri Arqipeshkvi Anastasios - ata e dinë që e kundërta e paqes nuk është lufta, por egoizmi, që është një formë dhune. Duhet t’i flasësh zemrës së njeriut për ta ndryshuar kryekëput, për ta çliruar nga sundimi i egos, nga adhurimi i së plotfuqishmes apo nga burgimi i dorëheqjes. Ndryshimi fillon nga vetja dhe askush nuk mund ta pengojë këtë. Fetë thonë se pa ndryshuar zemrën brenda nesh, një botë ndryshe nuk është e mundur të krijohet. Pa ndryshuar zemrën, një botë e re shumë shpejt do të kthehet në një botë të lig. Krijimi hyjnor nuk respektohet pa ndryshuar sjelljen dhe zemrën brenda nesh.

Sa luftra janë bërë për të ndërtuar një botë të re apo për të mbrojtur interesat vetjake. Po si kanë ndikuar? Gra të skllavëruara, familje të pastreha, fëmijë që detyrohen të udhëtojnë në kushte çnjerëzore, dhe shumë vdekje. Ç’humbje të mëdha jetësh njerëzore! Ne jemi mësuar me këto humbje, me vdekjen në luftë, me vdekjen si pasojë e udhëtimeve të gjata të dëshpërimit!

Nga Tirana bëhet një kërkesë për të gjithë ju: le të lindë, le të rilindë një lëvizje e madhe e zemrave, e mendjeve, e vullnetit për paqen! Po, një lëvizje e re për paqen! Kjo kërkesë vjen nga gjiri i besimeve fetare. Ajo buron nga tmerret e luftës, nga britmat e vuajtjes. Një lëvizje paqeje e frymëzuar nga fetë, që njerëzimi të mos i dorëzohet luftës dhe dhembjes, këmbëngulëse si një lutje që nuk lodhet kurrë, si një ëndërr që kurrë nuk përfundon.

Duhet të nxjerrim dëshirën për paqe dhe mirësinë që gjendet tek popujt. Të trokasësh, të pyesësh, të protestosh, të thërrasësh nuk është e kotë, sepse paqja është gjithmonë e mundur. Popujt e Evropes, pavarësisht frikës së tyre, kanë shprehur mikëpritjen e tyre për refugjatët. Kemi humbur shpresat duke menduar se në zemrën e njerëzve  nuk ka energji pozitive. Por në fakt, aty fshihet një forcë e madhe. Ne duam të vazhdojmë të tregojmë diçka të thjeshtë por vendimtare, që është ideali i frymës së Asizit, e këtë po e shpreh me fjalët e Papa Françeskut: “të jetosh pasionin e përbashkët për rritjen e bashkëjetesës paqësore në të gjithë popujt e tokës”.

Një njeri i mençur, i lindur në kufirin jugor të Shqipërisë gjatë luftës nacionale, patriarku Atenagora, ka thënë: “të gjithë popujt janë të mirë... Të gjithë kanë nevojë për dashuri. Nëse janë të këqinj, janë të tillë sepse nuk kanë takuar dashurinë e vërtetë, atë dashuri, e cila... rrezaton me dritën e jetës”. Misioni i fesë është që njerëzit të njohin dashurinë që rrezaton dritë dhe jetë, që të rikthen dëshirën për paqe, mikpritje, mirësi.

Ne kemi energji njerëzore dhe shpirtërore për një botë më të mirë, për të fituar luftën, për të krijuar një botë më të lumtur. Mos ndoshta e kemi harruar? Fetë ua kujtojnë këtë atyre që kanë harruar, atyre që kanë frikë. Me anë të të gjithë burrave dhe grave që kanë vullnetin e mirë, u kujtojnë se paqja është gjithmonë e mundshme. Kjo është një bindje e fortë dhe një shpresë e madhe edhe kur vështrimi ynë shkon drej horizonteve të errëta dhe aty ku lufta është prezente. Paqja është gjithmonë e mundshme. Ne duhet ta kërkojmë atë pa pasur frikë.